Orët e fundit të merkatos verore si gjithmonë rezervuan disa lëvizje sensacionale, madje edhe të papritura, por njëkohësisht edhe dështime të minutës së fundit. Përsa i përket emrave dhe shumave që ka shpenzuar pikërisht pak orë para rënies së gongut për mbylljen e transferimeve, skuadra e Chelsea i ka befasuar të gjithë. Klubi londinez riktheu në shtëpi pas dy vitesh futbollistin brazilian David Luiz, i cili la PSG për t’u vënë nën urdhrat e Antonio Contes. Rreth 40 milionë euro shkuan në arkat e kampionëve të Francës, të cilët në verë të 2013 paguan 50 milionë paund, një shumë rekord kjo për një mbrojtës, për ta marrë në Parc de Prince. 29-vjecari do të jetë i lidhur me klubin londinez për tre vitet e ardhshme.
Por Chelsea nuk u ndal me kaq. Pikërisht në momentin e fundit siguroi edhe shërbimet e Marcos Alonsos nga Fiorentina për 27 milionë euro. Kontrata e mesfushorit spanjoll, me blutë e Londrës do të jetë e vlefshme deri në vitin 2021.Pas shumë tratativas më në fund Juventusi e bindi drejtuesit e Chelseat për të lejuar transferimin e Cuadrados në Torino po në formën e huazimit për tre sezone. Për çdo vit bardhezinjtë duhet t’i paguajnë 5 milionë euro skluadrës së Roman Abramovic, por do të kenë detyrim që ta blejnë kolumbianin për 25 milionë euro nëse gjatë huazimit arrin objektivat sportivë. Mirëpo kampionët e Italisë nuk janë plotësisht të kënaqur me lëvizjet e orës së fundit në merkato, pasi dështuan të blinin Alex Witsel nga Zeniti i Shën Petërsburguit. Trajneri i skuadrës ruse Mircea Lucescu, refuzoi ofertën 18 milionë euro plus 2 milionë të tjera bonuse për 27-vjeçarin. Gjithsesi te Juvja mund të ngushëllohen me faktin se mund ta marrin në janar për një shumë më të ulët.
U bën një dhuratë të çmuar presidenti De Laurentiis tifozëve të Napolit. Pikërisht në ditën e fundit të merkatos i uroi mirëseradhjen serbit Nikola Makimovic nga Torino, ndërsa në klubin granata shkon Valdifiori. Për Mario Balotelin ringritja nis nga Franca. Sulmuesi italian është zyrtarisht futbollist i Nisës që i ka ofruar një pagë 4.5 milionë euro në sezon 26-vjecarit. Liverpuli mund të përfitojnë një përqindje të caktuar vetëm nga shitja e mundshme e lojtarit në të ardhmen.





