Tiranë, 7 shtator 2014 – Partia Demokratike, ka uruar ministrin Erion Velia, me rastin e martesës së tij me avokaten Ajola Xoxa. Por, në një deklaratë për shtyp, PD shprehet se shpenzimet faraonike, përfshirja e strukturave qeveritare dhe e Bashkisë së Gjirokastrës, në organizimin e ceremonisë martesore, është një abuzim me pushtetin, një provokim që i bëhet shoqërisë në ditët më të këqia të ekonomisë dhe gjëndjes sociale.

“Shpenzimet faraonike, paraja lumë rrugëve të Gjirokastrës, përfshirja e strukturave qeveritare dhe e bashkisë atje në organizimin e aktivitetit është një abuzim me pushtetin, është një provokim që i bëhet shoqërisë në ditët më të këqia të ekonomisë dhe gjëndjes sociale. Erion Veliaj mund të ketë ftuar një mijë vetë, e mund të ketë shpenzuar qindra mijë euro për shandanë, kokteile, e luks sallonesh, por janë mijëra qytetarë që mezi mbyllin muajin, janë mijëra që kanë humbur vendet e punës, janë mijëra që marrin gjithnjë me vonese ndihmën sociale, janë mijëra të tjerë që tjetër gjë prisnin nga ky ministër, nga kjo qeveri”,u shpreh koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi

Sipas PD, krekosja e Ministrit të Mirëqënies dhe shampanja e derdhur në muret e kalasë nuk ndihmojnë asnjë nevojtar.

“Ne nuk do të merreshim me dasmën e një ministri, por ishte zgjedhja e tij për ta kthyer këtë event privat, në një akt të pashembullt publik arrogance e mendjemadhësie e shpenzimit të pafre, në ditën kur të gjithë parametrat e ekonomisë së vendit janë përkeqësuar. Teprimit financiar i bashkohet dhe keqpërdorimi i simboleve historike. As bedenat heroike, as Argjiroja nuk i japin dot fisnikëri një dasme të kamur qeveritare. Jo kështjella e Gjirokastrës e historia e saj që nuk ndihet mirë nga ky fodullëk, por edhe Sokaku i të Marrëve, do të kishte pështirë nga kjo çmenduri  pasanikësh  pushtetarë që jetojnë në realitetin e tyre të dhjamur, pa asnjë ndjeshmëri për hallet, shqetësimet e kërkesat e qytetarëve”,deklaroi Bardhi. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/