Qeveria miraton shpërblimet e fundvitit për kategoritë e personave në nevojë dhe administratën publike.

Vendimin e bëri me dije kryeministri Edi Rama në një dalje për mediet, sipas të cilit përfitojnë:

84 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, me 20 mijë lekë të vjetër;

68 mijë përfitues si pjesë e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara, me 20 mijë lekë të vjetër;

372.932 pensionistë, persona që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, me 20 mijë lekë të vjetër;

145.580 persona që marrin pension të kooperativave bujqësore, me 20 mijë lekë të vjetër;

Personat që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake, 3.595 persona, me 20 mijë lekë të vjetër;

Personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, 10.660 persona, 20 mijë lekë të vjetër.

81 mijë kryefamiljarë që trajtohen me kompensim për energjinë elektrike, 20 mijë lekë të vjetër.

Grupi i personave me merita të veçanta

Në këtë grup marrin të gjithë nxënësit e shkëlqyer, pra të gjithë nxënësit me të gjitha 10-ta në arsimin parauniversitar, 50 mijë lekë të vjetër;

Të gjithë studentët e ekselencës, 50 mijë lekë të vjetër.

I gjithë grupi i mësuesve të spikatur, të cilët janë të dalluar në bazë të të gjitha kritereve të performancës, të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe të rezultateve të shkollave ku japin mësim, në bazë të rankimit të bërë nga Ministria e Arsimit, 400 mijë lekë të vjetër

300 persona të dalluar në shërbimin spitalor publik të Republikës së Shqipërisë, kryesisht infermiere, por edhe në raste të veçanta, mjekë, 400 mijë lekë të vjetër.

Rama deklaroi se kjo paketë konfirmon plotësisht vëmendjen dhe kujdesin e qeverisë, përtej të gjitha vështirësive financiare edhe të këtij viti tjetër reformash dhe përpjekjesh të mëdha për të siguruar rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe për të mundësuar një të ardhme më të mirë, jo si iluzion, por si një qëllim objektiv, i bazuar në realizimin e objektivave që përcaktojnë rrugën e reformave dhe masat që i shoqërojnë reformat.