DURRËS, 13 qershor 2013– Nis shpërndarja e vonuar e shpërblimit financiar simbolik për sjelljen në jetë të një foshnjeje në qytetin e Durrësit. Gjithsesi, fondet janë të pakta dhe shpërblimin nuk do ta marrin të gjithë. Kjo ka krijuar rradhë të gjata. Fondet e akorduara mundësojnë shpërndarjen për vetëm 400 familje nga mbi 5000 familje të listuara për shpërblim në qytet. Në derën e pasme të bashkisë së Durrësit rradha ndërkohë shtohet me baballarë të rinj dhe nëna me fëmijë të cilët presin të përfitojnë paratë që u takojnë në bazë të ligjit.

“Kam që në orën 8 bashkë me vajzën këtu në diell dhe po afron mesdita, po rradha nuk lëviz shumë. Ka shumë njerëz. Shpresoj që kur të shkoj në sportel të arrij t’i marr paratë. Thonë se nuk ka për të gjithë. Po e kam marr një numër (rradhe) dhe shpresoj.”- thotë Ardita e shqetësuar.

Kjo shpërndarje e pjesshme cënon rëndë barazinë që ligji u jep të gjitha familjeve që lindin fëmijë, ndërsa fondet e pakta të akorduara nga buxheti i shtetit për këtë qëllim krijojnë selektivitet, përzgjedhje mbi bazën e njohjeve a ndonjë rryshfeti të vogël.

“Kam mbi tre vjet që interesohem pothuajse rregullisht në zyrën e gjendjes civile për të marrë pagesën e lindjes për mbesën time, po gjithmonë kam marrë përgjigje negative. Më thonë se nuk kanë para e duhet të vazhdoj të pyes herë pas here. Tani që erdhën thonë se nuk janë të mjaftueshme për të gjithë. Të qëndroj në rradhë është thuajse e pamundur.”- shprehet  Rukija. Mbesa e saj i ka mbushur tashmë 3 vjeç e gjysëm.

Shqetësimit qytetar bashkia e Durrësit i përgjigjet se nuk është ajo përgjegjëse e situatës. Pagesa kryhet nga buxheti i shtetit përmes pushtetit vendor. Në bazë të Ligjit Nr.9929, të datës 09.06.2008 «Për Gjendjen Civile”, nenit 34/1, pika 6 përcakton se “fondi për pagesën prej 5,000 lekësh si shpërblim lindjeje merret nga Buxheti i Shtetit”.

Shpërblimet e lindjes po shpërndahen, po shumë familje do të mbeten pa i marrë, duke e shndërruar që në lindje shtetin në debitor ndaj tyre. Ndërkohë foshnje të tjera vazhdojnë të vijnë në jetë duke shtuar detyrimin e borxhit ndaj tyre.

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/