Kontrolli i ushtruar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Spitalin Rajonal Durrës ka evidentuar se për shoferët e ambulancave nuk është zbatuar VKM nr.112., datë 22.06.2006, gjë që ka shkaktuar përllogaritjen e gabuar të pagave për 22 shoferë, në periudhën janar-korrik 2024.

Këto ditë të para të këtij viti, 22 shoferëve u është komunikuar se krahas uljes së pagës që ka hyrë në fuqi që nga muaji korrik i vitit të kaluar duhet të rikthejnë rreth 1.2 milionë lekë të vjetra, që kanë marrë gjatë 7 muajve të parë të vitit 2024.

Kjo ka shkaktuar indinjatën e 22 shoferëve, të cilët janë mbledhur sot për të protestuar, sepse siç deklarojnë ata, punojnë 12 orë në ditë, por paguhen për 8 orë punë. Ata i janë drejtuar me shkresa kryeministrit Rama dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por përgjigje zyrtare nuk kanë marrë ende.

“Nga viti 2011 deri në vitin 2018 kemi punuar me vendim të Bordit të Spitalit dhe sistem 8 orë – 16 orë dhe kështu paguheshim. Në 2018, kur u krijua Urgjenca Kombëtare u mblodh Bordi i Spitalit dhe vendosi që ne të paguhemi me sistem 12 orësh  (shofer + mjek + infermier). 6 vite jemi paguar në këtë mënyrë. Kur erdhi rroga e muajit korrik, pyetëm tek Financa dhe na u tha që ka ardhur email nga Ministria ku thuhet se shoferët paguhen tepër. Pyetëm kush është më i fuqishëm, vendimi i Bordit, VKM-ja apo emaili dhe ngritën supet. Na thanë: Keni të drejtë, po s’kemi çfarë të bëjmë.”

“Viti i ri na ka ardh me një lajm se do të marrim shpërblim, por shpërblimin e kemi me gjobë, sipas faturës 1.200.000 lekë gjoba. Se ku i gjejnë këto gjoba nuk e kam idenë. Ne punojmë 12 orë në ditë dhe paguhemi 8 orë.”

“Rrogat mirë që na i ulën me 200 mijë lekë nga korriku i 2024, por do të na mbajnë 1.2 milionë lekë nga janari i 2024”,– thonë disa nga shoferët për “DurrësLajm”.   

Në të njëjtën kohë, shoferët evidentojnë se pagesa sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave shkakton diskriminim mes personelit të urgjencës.

“Mjekët dhe infermierët paguhen aktualisht 12 orë, vetëm shoferët nuk paguhen 12 orë. Ne punojmë 12 orë dhe paguhemi 8 orë”.

“Ne atëherë nuk qenkemi një ekip. Nuk e di nëse drejtori i madh Skënder Brataj a i din këto problematika që vuajmë ne këtu”,- thonë shoferët.

Një përfaqësi e 22 shoferëve të ambulancave mori gjatë ditës së sotme një takim me drejtorin e Spitalit Rajonal Durrës dhe ju premtua se ankesa e tyre do të shqyrtohej me prioritet.

M.B.