Një grup kriminal ku ishin të përfshirë edhe shqiptarë, u godit nga autoritetet greke për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Tre persona janë arrestuar nga policia ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ata kishin marrë me qira një vilë në zonën e Mykonos, ku mbanin lëndën narkotike.

Policia ka ndërhyrë me dron për të lokalizuar vendndodhjen e 3 personave përpara se të mësynin në vilë dhe t’i arrestonin.

Sipas policisë greke, kreu i këtij grupi ishte një shqiptar i cili është liruar me kusht në vitin 2018.

Ndaj tij rëndonin disa dënime që në tërësi shkonin në 47 vite heqje lirie për veprat penale, tentativë vrasje, plagosje e rëndë me dashje, armëmbajtje pa leje dhe arratisje nga burgu.

Shqiptari bënte të mundur furnizimin me drogë të cilën e siguronte në Hagë të Holandës dhe e transportonte drejt Greqisë.

Gjatë operacionit të policisë greke, në vilë u sekuestruan 437 tableta ekstazi, 219 gramë kokainë, 270.9 gram kanabis si dhe disa doza të tjera drogërash sintetike.