Një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në radhët e të miturve është goditur nga policia në Vlorë, ku një 17-vjeçar ka përfunduar në pranga dhe një 16-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë, pasi u kapën me doza kokaine dhe kanabisi të dyshuara për shitje.
Njoftimi i Policisë:
Shpërndanin kokainë dhe kanabis te adoleshentët, vihet në pranga një 17-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë një 16-vjeçar.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 10 doza kokainë dhe një sasi kanabisi.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar edhe në informacionet e siguruara për dy adoleshentë që mund të shpërndanin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontrolle në akset kryesore dhe në disa zona të qytetit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë, u ndaluan dhe u kontrolluan fizikisht dy adoleshentë që ishin të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit ndaj shtetasit 17-vjeçar, në çantën e tij (marsup) dhe në mbajtësen e kufjeve, u gjetën 10 doza të mbështjella me qese plastike, të dyshuara si lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa në xhep iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kanabis, e mbështjellë me letër alumini.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin D. M., si dhe proceduan në gjendje të lirë 16-vjeçarin.





