Policia e Dibrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shpërndarësi”, duke arrestuar një 22-vjeçar i shpallur në kërkim prej disa ditësh. Në pranga ka rënë shtetasi Jorgen Muça, banues në njësinë Administrative Tomin, Dibër.
Shërbimet e Policisë kanë marrë informacion në rrugë operative se ky shtetas dyshohej se kishte kultivuar bimë narkotike në numër të vogël dhe lëndën narkotike të prodhuar e shpërndante në ambientet e jashtme të shkollave dhe lokaleve.
Efektivët e Komisariatit të Policisë Dibër në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. dhe me Prokurorinë kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin për kontrollin e banesës dhe kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i operacionit efektivët e policisë me datë 10.10.2017, kanë ushtruar kontroll në banesën e tij në njësinë Administrative Tomin-Dibër, ku në oborrin e banesës kanë gjetur të kultivuar një bimë e dyshuar narkotike, ndërsa gjatë kontrollit brenda banesës kanë konstatuar dhe sekuestruar një sasi prej rreth 400 gramë lëndë e thatë e dyshuar narkotike, si dhe një sasi e konsiderueshme qesesh farmaceutike që përdoreshin për shpërndarjen e lëndës narkotike.
Nga hetimet e kryera rezulton se autor i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Jorgen Muça, i cili në momentin e kontrollit të banesës nga policia nuk ndodhej në banesë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim me datë 10.10.2017, ku u kap dhe u ndalua gjatë ditës së djeshme nga efektivët e policisë Dibër.





