Policia ka arrestuar një 26-vjeçar në qytetin e Fierit. Ai u arrestua nga forcat blu, pasi gjatë kontrollit të bërë nga policia iu gjet një sasi prej 81 gramësh lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me qëllim shitjen. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, një automjet dhe tre celularë. Policia po heton më shumë mbi rastin. 

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni i koduar “Neë Start”. Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, i ndjekur prej 1 muaji me metoda speciale të hetimit. Gjatë operacionit arrestohet në flagrancë 1 shtetas, i cili posedonte lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen në qytetin e Fierit.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin Y. E., 26 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që shtetasi Y. E. drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën një sasi prej 81 gramësh lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të cilën ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen.

Shtetasi Y. E. ka tentuar t’u ikë punonjësve të Policisë, por është neutralizuar dhe më pas vënë në pranga. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 1 automjet dhe 3 celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.