Merrej me transport e shpërndarje të lëndës narkotike të përpunuar duke u kamufluar si shofer furgoni për transport të qytetarëve Tiranë-Klos-Tiranë, vihet në prangat e Policisë 36- vjeçari nga Tirana. Sekuestrohen 4 kallëpe me lëndë narkotike kanabis të përpunuar në formë çokollate.

U finalizua operacioni policor antidrogë të koduar “Kamuflimi”. Në kaudër të operacionit Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, dhe me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Dibër, në vendin e quajtur ura e fshatit, Fshat, në Klos, kanë ndërhyrë në mënyrë të befasishme duke bllokuar furgonin që drejtohej nga 36-vjeçari nga Tirana, ku dyshohej se transportohej lënda narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dyshemenë e sediljes së shoferit, shërbimet e policisë gjetën një kuti, ku brenda saj kishte 4 kallëpe me lëndë narkotike kanabis sativa, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë rreth 1 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga informacionet e grumbulluara më parë dyshohet se ky shtetas duke u kamufluar si shofer për transport pasagjerësh, në linjën Tiranë -Klos -Tiranë, merrte lëndë narkotike në Tiranë, kryesisht kanabis të përpunuar por edhe droga të forta në sasi të vogla me qëllim shitjen e saj dhe ua shiste personave të ndryshëm, ku shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Y.D., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale..