Këshilli i Qarkut Durrës në kuadër të projektit STAR, (Rrjetet Statistikore në Sektorin e Turizmit të rajoneve të Adriatikut), një projekt i bashkë-financuar nga program IPA (Instrumente të  Ndihmës së Para-Aderimit) të Bashkimit Europian ka organizuar organizon të mërkurën në ambientet e Hotel Adriatik në Durrës wokshop-in me temë “Vlera e shpërndarjes së Informacionit si një mjet për zhvillimin e Turizmit në zonat e Adriatikut”. Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Eglantina Bekteshi, evidentoi rëndësinë e projekteve të tilla për një qark si ai i Durrësit që ka resurse të mëdha në fushën e turizmit.

Projekti S.T.A.R.

Projekti S.T.A.R. nxitet nga kompleksiteti i fenomenit të turizmit në drejtim të burimeve dhe të dhënave statistikore dhe nga konsiderata se mbledhja, trajtimi dhe shpërndarja e të dhënave lidhur me kërkesën e turizmit mund të mbështesë orientimin e ofertës turistike në tërësi. Kjo nisëm është në vazhdën e angazhimeve që ka ndërmarrë Këshilli i Qarkut Durrës në bashkëpunim me dhjetë partnerë nga pesë vende: nga Italia- rajoni i Emilia Romagna, Veneto, Marche, Abruzzo, Pulglia dhe provincat e Riminit, nga Bosnia & Herzegovina, nga Kroacia, Shqipëria dhe Greqia, të gjitha vende që i përkasin turizmit të gjirit Adriatik.

Bashkimi Evropian ka dhënë një fond prej 1.8 milionë euro për promovimin e turizmit në këto vende përfshi edhe Durrësin, vende të cilat organizojnë ballafaqime të statistikave të ecurisë së turizmit sipas një kalendari të paracaktuar. Buxheti i Këshillit të Qarkut për këtë projekt është 147 mijë euro. Në këtë takim, Maura Mingozi kryekoordinatore e Projektit STAR dhe njëkohësisht përfaqësuese e Rajonit të Emilia Romagna tha se “Përpiqemi që të realizojmë në bashkëpunim me të gjithë partnerët objektivat madhore që ka projekti STAR në tërësi”.

Projekti përbëhet nga 5 paketa punë, dhe dy prej këtyre paketave menaxhim administrativ i veprimtarive të komunikimit të organizimit të projektit të cilat do të jenë aktive gjatë gjithë zgjatjes së projektit që do të shtrihen në harkun kohor prej 30 muaj. Objektivi kryesorë ka të bëj me harmonizimin e të dhënave turistike duke i formësuar në një “web portal” duke bërë të mundur në të njëjtën kohë sigurimin e një pozicionimi më të mirë të ofertës turistike, përmirësimin e strategjive të marketingut me qëllim rritjen e fitimit të sektorit të biznesit si dhe përmirësimin e shërbimeve për vendet turistike.

 

2470 subjekte operojnë në Durrës në fushën e turizmit, të dhëna këto që vijnë nëpërmjet drejtorisë lokale të Tatim-Taksave. 500 prej këtyre subjekteve i përkasin hotelerisë me rreth 7200 shtretër. Të ardhurat që i shkojnë shtetit nga kjo industri e madhe llogariten për vitin 2011 në 114 milionë euro

16.500 shtretër është numri mesatar i shtretërve në zonën turistike të Durrësit për akomodimin e turistëve. Shfrytëzimit të shtretërve (referuar sektorit të verifikimit në terren), ka rezultuar rreth 50 % e kapacitetit akomodues. Numri mesatar i ditëve turistike në Durrës është rreth 60 ditë

4.800 punonjës sigurojnë çdo vit një vend pune në bregdetin e Durrësit, si punonjës gjithëvjetorë ose sezonalë. Për punonjësit sezonalë, periudha e punësimit fillon në maj ose qershor dhe përfundon në shtator apo tetor. Vendet e punës janë kryesisht në bare, restorante, hotele e njësi të tjera shërbimi

Projekti i vjen në ndihmë edhe sektorit të biznesit nëpërmjet analizimit të pozitës së tregun lokal,  duke analizuar karakteristikat dhe evoluimin e klientëve. Krijimi i  “web portali”  mundëson ndarjen e raporteve të  turizmit  të përbashkët dhe shërbimeve elektronike për administratën publike, sipërmarrësit turistike dhe përdoruesit e ndryshëm, duke mundësuar të përmirësimin e politikave për sektorin e turizmit.

Objektivat

Në takimin e kësaj jave u theksua se objektivat kryesorë të këtij projekti janë të krijojë një njohuri të përbashkët në zonën turistike të Adriatikut përmes zbatimit të një “web portail”  duke siguruar një pozicionim më të mirë të ofertës turistike si dhe të përmirësojë organizimin dhe nivelin teknologjik të grumbullimit dhe të transmetimit të të dhënave të turizmit duke bërë të mundur që të gjitha objektet e strehimit (hotele, kampe, hotel me mëngjes etj) të transmetojnë të dhënat në lidhje me turistet dhe netëqëndrimet për administratat publike përkatëse përmes internetit dhe jo më përmes formateve letër.

Gjithashtu projekti synon homogjenizimin e te dhënave cilësore dhe sasiore të turizmit. Duke siguruar një mjet të ri për sipërmarrësit duke u mundësuar atyre të analizojnë pozitën e tyre në tregun lokal, karakteristikat dhe evoluimin e klientëve të tyre synohet sigurimi i një mjeti më  të thjeshtë dhe më efektiv nga administrata publike në organizimin dhe trajtimin e të dhënave në mënyrë që të përmirësohet politika e turizmit.

Krijimi i web portalit lejon ndarjen e raporteve të turizmit të përbashkët dhe shërbimeve elektronike për administratën publike, sipërmarrësit turistike dhe përdoruesit e ndryshëm.

 

Turizmi në shifra

Kosto mesatare për ditë shtrati turisti (sipas sektorit të verifikimit në drejtorinë lokale të Tatim-taksave) është mesatarisht 25 Euro/turist. Këtu përfshihen: fjetja,ushqimi,shezllongu. Cmimet e sezonit të fundit veror, nuk kanë patur ndonjë ndryshim, në raport me tre vitet e fundit. Nga kontrollet e ushtruara, nëpërmjet intervistave dhe sondazheve të kryera, rezulton se për turistët me qëndrim një ditor në Durrës, kosto mesatare është rreth 10 Euro/turist. Në rrethin e Durrësit janë të regjistruar rreth 2470 subjekte që ushtrojnë aktivitet kryesor në zonën turistike nga të cilët 540 subjekte janë hotele apo motele 630 bar-restorante, 1300 bar- kafe. Numri i përgjithshëm i dhomave në dispozicion të turistëve llogaritet në rreth 7200. Të ardhurat e llogaritura gjithsej nga turizmi vjetor në Durrës janë rreth 114 milionë euro.

Çfarë ofron qyteti

Aktualisht Durrësi ofron një sistem hotelerie të një niveli shumë të mirë dhe çmimet që ofrojnë hotelet janë të pranueshme dhe të leverdisshme. Nje pjesë e mirë e hoteleve me prestigjozë në Durrës prezantojnë online çmimet që ofrojnë për pushuesit, të cilat variojnë nga 19-50 euro në natë. Banesat private në plazhin e Durrësit, të cilat mendohet se thithin rreth 45% të fluksit turistik, operojnë me çmime që luhaten nga 10 deri në 20 euro, në bazë të kushteve sic janë klima, uji apo tualeti. Në guidat e ndryshme reklamohet se turistët kanë mundësi të njihen edhe me historinë 3 mijë vjeçare, objektet e trashëgimisë kulturore dhe historike, Muzeun Arkeologjik, Amfiteatrin, Mozaikun e Bukuroshes së Durrësit, Rotondën Bizantine, Torrën Veneciane, Pusin e Tophanes, Xhaminë mesjetare Fatih, e shumë objekte të tjera, të trashëguara në shekuj.

Të ardhurat nga turizmi

Kontributet e pritshme nga aktiviteti i turizmit në Durrës llogariten si më poshtë: Fitimi i pritshëm nga subjektet e biznesit të madh është afërsisht 3.500.000 Euro. Tatim fitimi i pritshëm nga këto subjekte është afërsisht 350.000 Euro. TVSH e pritshme për t’u arkëtuar nga subjektet e mësipërme është rreth 450.000 Euro. Taksa të tjera indirekte që priten të arkëtohen si rezultat i sezonit turistik në Durrës janë rreth 1.9 milionë euro. Në këto të dhëna nuk janë marrë në konsideratë për efekt taksash të ardhurat e realizuara nga individët e ndryshëm privatë të pa regjistruar,të cilët japin apartamente me qira.