Edhe pse me pushime, prindërit që kanë fëmijët në shkollë po mendojnë shpenzimet që i presin në fillim të shtatorit. Por shpenzimet e para ata duhet t’i bëjnë me librat pasi shpërndarja e tyre nis më 25 gusht. Ministria e Arsimit së bashku me shtëpitë botuese po merr masat që këtë vit të mos ketë vonesa në tekste dhe problem me pullat certifikuese të librave por edhe të shmangin radhët tradicionale të prindërve në librari.
“Më 25 gusht fillon shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore. Kjo shpërndarje do të realizohet pranë njësive tregtare që ndodhen pranë mjediseve të institucioneve arsimore, por edhe në ambientet e shkollave kur drejtori i shkollës dhe botuesi bien dakord për shfrytëzimin e ambienteve të shkollës për shitjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore. Ne po ndërtojmë një skeme të re të shpërndarjes së teksteve shkollore, për të lehtësuar edhe më shumë marrjen e teksteve nga prindërit dhe fëmijët e tyre”– deklaroi Zamira Gjini, drejtoresha e arsimit parauniversitar.
Vonesa në tenderin e dëftesave, pullave me hologramë dhe regjistrave sipas drejtoreshës së arsimit parauniversitar Zamira Gjini nuk është problem pasi nga java që vjen shtëpitë botuese do marrin pjesën e mbetur të pullave për të vijuar normalisht procesin.
“Në komunikim me botuesit pjesa më e madhe e teksteve janë kompletuar edhe me pullën me hologram. Bile botuesit kanë raportuar se tekstet e arsimit parauniversitar janë mbyllur, I është vendosur pulla me hologramë, janë paketuar dhe ka filluar shpërndarja në qytete e Shqipërisë. Mbetet vetëm qyteti i Tiranës dhe tekstet për shkollat e mesme. Në javën e ardhshme do të ndodhi edhe shpërndarja e pjesës tjetër të pullave me hologramë për ato tekste që nuk janë pajisur me këtë kriter sigurie”- theksoi Zamira Gjini, drejtoresha e arsimit parauniversitar.
Nga Ministria e Arsimit japin garanci se këtë vit nuk ka mungesë të teksteve shkollore në librari dhe po shihet mundësia e lehtësimit të këtij procesi ku prindërit ti marrin të paketuar librat për çdo viti shkollor. /BW