Është hapur me forcë dera e bashkisë së Devollit. Dera është shpërthyer, pasi Bledion Nallbati, deri më tani kryebashkiak i Devollit, është larguar nga ambientet e institucionit. Aty ka hyrë Eduard Duro, kryebashkiaku i ri i zgjedhur nën logon e Partisë Socialiste.
“Sot është dita kur iu dha fund një procesi të gjatë. Pas ftesave të mia dhe këshillit të bashkiak për kryetarin e bashkisë, ai nuk pranoi të më priste për të bërë dorëzimin e detyrës kështu që u detyruam të hynim në këtë mënyrë. Bashkia do të vazhdojë aktivitetin normal”, u shpreh Duro.
I pyetur nga gazetarët nëse do të largime të punonjësve nga puna, kryebashkiaku i ri tha: “Jo, asnjë largim.”
Nallbati ka refuzuar më parë të largohet nga detyra, pasi si pjesë e opozitës, nuk e njeh procesin e zhvilluar më 30 qershor.





