SHKODER– Dy persona kanë humbur jetën mbrëmjen e djeshme si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit. Ngjarja ka ndodhur në Shkodër në lagjen “Qafë hardhi”, kur familjarët teksa ishin duke ngrënë darkë, bombola e gazit që shërbente për ngrohje ka shpërthyer duke shkaktuar flakë.

Disa prej familjarëvë kanë dalë jashtë por flakët kanë qenë të menjëhershme dhe të vrullshme. Si pasojë e tyre, nuk kanë mundur të dalin nga apartamenti Dedë Luca dhe vajza e tij, të cilët janë djegur. E plagosur ka mbetur bashkëshortja e Dedë Lucës, Silvana, e cila ka marrë plagë të shumta.

Ajo është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia në bashkëpunim me forcat zjarrfikse kanë bërë të mundur fillimisht lokalizimin e flakëve dhe më pas shuarjen e tyre. Menjëhërë është ngritur një grup hetimor, i cili do të zbardhë shkaqet zyrtare të rënies së zjarrit.