Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në ambientet e burgut të Shënkollit. Një bombolë gazi, të cilën të burgosurit e përdornin për të gatuar ka shpërthyer e për pasojë ambienti është përfshirë nga flakët. Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka përfshirë një nga qelitë në katin e dy-të të godinës së burgut.

Sipas burimeve të deritashme, nga zjarri ka humbur jetën një i burgosur dhe janë plagosur disa të tjerë, të cilët po transportohen me ambulancë drejt Spitalit të Lezhës, për të marrë kujdesin shëndetësor. Nga të dhënat pararake nga stafi mjekësor, mësohet se dy persona kanë mbërritur të asfiksuar dhe ndodhen nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Duke marrë shkak nga kjo situatë, autoritetet e sigurisë së Burgut i kanë nxjerrë të burgosurit në oborr.

Po ashtu, një furgon policie me efektivë nga Tirana mbërritur në institucionin e vuajtjes së dënimit, ndërsa monitorojnë situatën, duke rrethuar kështu gjithë zonën. Ndërkohë raportohet se pas ndërhyrjes së zjarrfikëses është bërë e mundur shuarja e zjarrit.

Autoritetet kanë vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.