Presidenti i komisionit të arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, e konsideroi skandaloze dhunën që ndodhi në Turqi, ku gjyqtari Halil Umut Meler u godit barbarisht nga presidenti i Ankaragücü.

“Ai po bënte punën e tij kur u sulmua në fushë në fund të një ndeshjeje që sapo kishte arbitruar. Imazhi i Halil Umutit i shtrirë në tokë, me duart që mbron kokën teksa goditet me shkelma nga agresorët, si dhe imazhi i mavijosjes nën syrin e tij, janë të tmerrshme. As arbitri dhe as njeriu nuk e meritojnë të jetonin përvojën që pati ai në Ankara. Por edhe më e tmerrshme është të dish se në të gjithë botën ka mijëra arbitra që pësojnë abuzime verbale dhe fizike në ligat e ulëta, pa u raportuar në media. Ata janë të panjohur. Dhe pjesa dërrmuese e tyre janë arbitra të rinj në fillim të karrierës së tyre”, deklaroi Collina.

Ish-arbitri italian u shpreh se dhunimi i Umut Meler rrezikon të bëhet një rrezik për të ardhmen e futbollit.

“Dhuna dhe abuzimi verbal dhe fizik ndaj gjyqtarëve është një ‘kancer’ që mund t’i kushtojë futbollit jetën. Një gjyqtar nuk mund të dhunohet për shkak të një vendimi që ka marrë, edhe nëse ai është i gabuar. Makina e tij nuk mund të bombardohet apo të digjet për shkak të një goditje dënimi. Fatkeqësisht kjo nuk është një ekzagjerim, pasi në disa vende u kanë vendosur bomba dhe u kanë djegur makinat.

Si një arbitër ‘i vjetër’ i jam veçanërisht mirënjohës presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino për fjalët e tij dhe për solidaritetin e shprehur personalisht me Halil Umut Meler. Është një përgjegjësi për të gjithë ata që e duan lojën e bukur të ndërmarrin veprime dhe të bëjnë diçka. Para se të jetë tepër vonë, para se ky kancer të vrasë futbollin”, tha i indinjuar Collina.

Gjithashtu ish arbitri italian zbuloi disa momente që kishte kaluar me turkun Meler: “Halil Umut është një arbitër shumë i mirë dhe një person i mirë. Mund ta them këtë sepse e kam parë disa herë në fushën e lojës dhe kam kaluar kohë me të në Kupën e Botës U-20 në Argjentinë në fillim të këtij viti”.