Fushë Krujë, 22 prill 2014 – Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në një automjet tip furgon, në qendër të qytetit të Fushë Krujës. 

Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit, ndërsa lënda shpërthyese është vendosur në mjetin tip taksi 8+1 me targa AA900T, në pronësi të shtetasit Bujar Zalla. Mësohet se eksplozivi ishte vendosur në pjesën e motorit. 

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar, por vetëm dëmime të automjetit. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët e vendosjes së eksplozivit dhe për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. 

Vetëm disa ditë më parë policia e Durrësit arrestoi 4 shtetas të cilëve iu sekuestrua një sasi prej 100 kallëpe tritoli. Dy prej të ndaluarve dyshohet se janë autorët e shpërthimit të fundit të regjistruar në komisariatin e policisë së Fushë Krujës në datë 18 prill.

Gjatë operacionit policor të koduar “Detonatori”, që Sektori Kunder Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme Durrës ndërmori në bashkëpunim edhe me Prokurorinë për Krimët e Rënda Tiranë, u arrestuan Dorjan Picorri, Sajmir Ajazi, Rejdi Ndreu dhe Enis Mullai.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/