Fushata elektorale duket se ka arritur kulmin teksa Ilir Meta ka lëshuar një sërë akuzash të forta drejtuar Kryeministrit Rama.

I pranishëm në fushatën elektorale që LSI ka mbajtur në Berat, Meta që në krye të herës ka dhënë një mesazh të fortë, teksa e ka cilësuar Ramën si ish bashkëkryetarin e qeverisë, duke nënkuptuar se tashmë koalicioni qeverisës është thuajse inekzistent.

Më tutje, Meta ka shpërthyer në akuza, duke thënë se kur njeriu pi doping, kujton se është i fortë. Nga ana tjetër, Meta është përgjigjur edhe për Qeverinë me një timon, duke ironizuar Ramën, teksa ka thënë se në krah të makinës ka patur Niko Peleshin dhe se askush nga LSI nuk e ka penguar.

"Nuk ka patur gjunjë as Berisha i parë për të nënshtruar popullin e Beratit e jo më të kenë gjunjë këta që nuk mbajnë dot as ekuilibrin e tyre e jo më të trembin Beratin, Kuçovën, Skraparin. Kur njeriu pi doping kujton se është i fortë, por kur t’i dalë dopingu do i kërkojë falje Petrit Vasilit. LSI e ka fuqinë tek rinia e Beratit dhe gjithë Shqipërisë. Rinia e ka vendosur forcë të parë.

Që të jesh timonier duhet të kesh aftësi të ndryshme. Duhet të dish të frenosh. Sa për akuzat e timonit, ai ka patur Nikon aty. Nëse ia ka lëvizur njeri timonin të merret me Niko Peleshin jo me ne”, tha Meta.