Numri i të vdekurve në sulmin me bombë që ndodhi këtë të shtunë  në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu ka shkuar në 231 persona, ndërsa më shumë se 275 të tjerë janë plagosur.

Zyrtarët shqetësohen se ky numër mund të rritet. Spitalet janë duke u përballur me një numër shumë të lartë të plagosurish. Shumë nga viktimat kanë vdekur në spital prej plagëve të rënda.

Policia njoftoi se një kamion me bombë shpërtheu jashtë hotelit ‘Safari’ që është afër disa zyrave qeveritare, restoranteve dhe kioskave duke shkatërruar në këtë mënyrë ndërtesa dhe duke shpërthyer mjete.

Qeveria somaleze ka fajësuar grupin ekstremist al-Shabab të lidhur me al-Kaedën për sulmin që e konsideruan një “katastrofë kombëtare” dhe kanë lajmëruar ‘tre ditë zie kombëtare’.

Kjo ngjarje ndodhi pas dorëheqjes së Ministrit të Mbrojtjes të vendit dhe Shefit të Ushtrisë. Ushtria amerikane ka rritur sulmet me dron këtë vit kundër grupit Al-Shabab. Këta të fundit kanë nisur sulme ndaj bazave ushtarake në pjsën qëndrore dhe jugore të Somalisë.