Tiranë, 14 korrik 2014 –  Tre persona kanë mbetur të plagosur, dy prej te cilëve në gjendje të rëndë, nga shpërthimi i një automjeti në kryeqytet. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:45 në vendin e njohur si “Rruga Ura”. Burime nga policia bëjnë me dije se automjeti që ka shpërthyer ishte tip “Volswagen Polo” me targë AA 868 EE. 

Në momentin e shpërthimit  automjeti ka qenë në lëvizje. Sipas të njëjtave burime nga hetimet paraprake dyshohet që automjetit ti jetë vendosur një sasi eksplozivi tritol në pjesën e poshtme në krahun e shoferit. 

Shperthimi ka qene i fortë dhe ka ngjallur panik tek banoret përreth, ndërkohe që automjeti ka pësuar dëmtime të shumta në pjesën e përparme. 

Policia bën të ditur se, dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë. Një nga të plagosurit është Sulejman Allushi, 40 vjeç, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës, ndërsa dy të plagosurit e tjerë, Andi Koçi dhe Joli Capo, janë dërguar tek raporti i Djegieve në QSUT. Koçi dhe Capo ishin kalimtarë të rastit kur ndodhi shpërthimi. Ndërkohë, Sulejman Allushi është në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka marrë plagë të shumta në trup.

Policia po heton në dy pista, pasi i plagosuri Sulejman Alllushi është dhe vëllai i drejtorit të një burgu të sigurisë së lartë. Gjithashtu Suljeman Allushi nuk është një emër i panjohur për policinë. Në prill të 2011 ai ka pasur një konflikt pronësie me fisin Zallini nga fshati Brar. Sipas policisë konflikti mes fisit Allushi dhe Zallini ka nisur prej disa vitesh për një sipërfaqe toke që pretendojnë të dyja palët. Përleshja ka ndodhur mes vëllezërish e djem xhaxhallarësh për të dy palët.

Të dëmtuarit e asaj kohë ishin dy vëllezër dhe djali i xhaxhait të tyre, të fisit Zallini dhe po kështu dy vëllezër dhe kushëriri i tyre të fisit Allushi sipas policisë janë autorë për këtë ngjarje.

Blutë e kryeqytetin tashmë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të shperthimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/