Seanca e jashtëzakonshme e thirrur ditën e sotme në Parlament ka nisur me tensione, pasi deputetë të opozitës kanë krijuar zhurmë duke goditur tavolinat teksa kryeparlamentarja Nikolla njoftonte pikat e diskutimit.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar vazhdimisht të marrë fjalën për procedurë, por Nikolla e ka përjashtuar dhe është përgjigjur se kësisoj ai nuk mund të marrë fjalën.

Teksa foltorja e Parlamentit është rrethuar nga gardistët, Bardhi është afruar i shoqëruar nga deputetë të tjerë demokratë, ndërsa i është drejtuar kryetares së Parlamentit me fjalë të ashpra.

Bardhi ka akuzuar Nikollën se ka gënjyer dhe se ka thënë se ishte sëmurë, duke iu referuar njoftimit të saj për tërheqjen nga detyra për arsye shëndetësore në seancën e të premtes.

Nikolla po ashtu i është përgjigjur Bardhit duke përsëritur thirrjet se ky i fundit është përjashtuar nga seanca, ndërsa ka shtuar se demokratit duhet “t’i vijë turp për fjalët e përdorura”.

Bardhi: Na jep fjalën për procedurë!

Nikolla: Je i përjashtuar nga seanca, nuk e merr dot fjalën për procedurë.

Bardhi: Ti the jam sëmurë, gënjeve Kuvendin!

Nikolla: Të të vijë turp për fjalët që përdor!