Rreth orës 03:00 të mëngjesit të kësaj të marte, ka shpërthyer në flakë një kabinë elektrike në qytetin e Durrësit.
Kabina elektrike 4, fidri 9, e ndodhur në rrugë kryesore në lagjen nr.7 pranë Policisë Bashkiake, ka shpërthyer në flakë duke u djegur tërësisht së bashku me transformatorët e energjisë.
Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
E pozicionuar shumë pranë një pallati 12-katësh, ngjarja ka vënë në alarm gjatë natës të gjithë banorët. Por fatmirësisht situata u vu nën kontroll pa shkaktuar pasoja më të rënda.
Prej mëngjesit të sotëm, 3 grupe të riparimit të defekteve kanë nisur punën për riparimin e transformatorëve si dhe për të risjellë energjinë elektrike.





