Një person ka vdekur, dhe një tjetër është lënduar, si pasojë e flakëve që përfshinë automjetin e tij në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, përkatësisht në fshatin Babush.
Lajmin e ka bërë të ditur Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.
Ai ka thënë se personi që ishte në automjet ka humbur jetën ndërsa personi tjetër ka marrë lëndime trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe zjarrëfikësit, të cilët kanë shuar zjarrin.
“Rreth orës 17:40 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj -Prishtinë, në hapësirën e një pike karburanti në fshatin Babush, një automjet i udhëtarëve me targa vendore është përfshirë nga flaka. Për pasoje një person ka humbur jetën që ishte në automjet.
Ndërsa një person tjetër që ishte në marketin e kësaj pike karburanti ka marr lëndime trupore dhe është dërguar në Prishtinë për trajtim mjekësorë”, ka deklaruar Veseli.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për shkaqet e kësaj ngjarje tragjike.





