Presidenti i Tiranës, Refik Halili, shpërtheu në akuza për arbitrimin pas derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, i cili përfundoi pa gola (0-0).

Në prononcimin për Max Sport në Euronews Albania, Halili akuzoi për presione mbi arbitrat dhe vendime të padrejta, duke theksuar se goli i anuluar i Tiranës ishte i rregullt dhe fajësoi arbitrin e VAR-it për gabimin.

“Arbitrat nuk duhet të luajnë me investimet e presidentëve dhe klubeve. Gjyqtarët i bien bilbilit sipas qejfit të tyre. Ne kemi arbitra shumë të mirë kur gjykojnë jashtë, por dikush u jep urdhra. Këtë e ka në dorë federata. FSHF të marrë masa dhe të largojë njerëzit që ndikojnë te arbitrat, duke i bërë qepaze. Nuk është rasti i parë. Arbitrat marrin urdhra që ta bëjnë sipas qejfit ndeshjen dhe të ndihmojnë ekipe të caktuara, këtë nuk e luan topi. Këta arbitra janë të vendosur qëllimisht, janë të strukturuara. Vazhdo bjeri këtij se këtij mban”, tha Halili.

Presidenti ngriti gjithashtu shqetësimin për arbitrin e VAR-it, Kreshnik Bajramaj, duke theksuar se ai ishte i njëjti gjyqtar që kishte qenë në VAR në një tjetër ndeshje me polemika kundër Elbasanit. Halili kërkoi hetime dhe masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla.

“Si ka mundësi që ky arbitër, që ishte sot në VAR, ishte edhe në ndeshjen tonë kundër Elbasanit? A mund të ma shpjegojë njeri? FSHF të marrë masa dhe të mos luajnë me investimet e klubeve,” shtoi ai.

Derbi përfundoi 0-0, me Tiranën që humbi një penallti në minutat e fundit, duke lënë të dyja skuadrat të ndanin pikët në një ndeshje të tensionuar dhe me polemika.