“Duhet vrarë ai qen, nuk meriton të jetojë”. Ka qenë ky urdhri i një princeshe arabe që ka shtyrë badigardët e saj të masakrojnë një usta francez, që ishte thirrur të kryente disa punime në shtëpinë e pasanikes.

Trashëgimtarja e mbretit Khaled, ish monarku i Arabisë Saudite, ndodhej në Paris dhe kishte vendosur të kryente disa punime në vilë.

Por ndërsa artizani që kishin thirrur për të realizuar ndryshimet e nevojshme po shkrepte disa foto në dhomën e saj, princesha arabe ka reaguar menjëherë e nevrikosur.

Sipas saj, ustai do ua shiste ato foto gazetave, ndërkohë që ky i fundit është mbrojtur duke thënë se bërja e fotove përpara nisjes së punimeve është një procedurë e punës së tij.

Mësohet se ustai është rrahur për rreth 4 orë nga badigardët e princeshës, të cilët i kanë kërkuar atij të gjunjëzohej dhe t’i puthte këmbët asaj.

Sipas policisë franceze, gjurmët e dhunës ishin mjaft evidente në momentin kur artizani ka denoncuar në polici rastin në fjalë.