Brazil, 22 qershor 2014 – Xherdan Shaqiri kundër kritikëve. Pas humbjes 5-2 kundër Francës, Zvicra po kalon një moment jo të mirë edhe pse mbetet e favorizuar për të siguruar një biletë drejt fazës tjetër. Në një intervistë për mediat helvete, lojtari me origjinë shqiptare kërkon të vendosë pikat mbi “i”. 

“Unë ndihem shumë mirë, por ato që më shqetësojnë janë kritikat. Unë jam pjesë e ketij grupi dhe kam të njëjtën peshë si çdo lojtar tjetër. Ndaj Francës nuk u shfaqëm në formën më të mirë, por duhet të duhet të shikojmë aspektin pozitiv që shënuam dy gola”.

Në vijim, mesfushori flet edhe për paraqitjen e tij në fushën e lojës. 

“Nuk kam asnjë problem fizik pas dëmtimit që pësova gjatë sezonit. Në pjesën e parë vrapova shumë, por nuk ishte e lehtë. Shpesh herë duhej të rikuperonim topat e humbur. Ishim përherë një hap pas rivalëve, prandaj unë dua të analizoj gjithë performancën e skuadrës që në total nuk ishte pozitive. Unë edhe pse nuk kam shënuar ende, kam vrapuar shumë duke krijuar hapësira”.

Në fund një koment nga Shaqiri edhe për çështjen e shumëpërfolur të klimës në Brazil. 

“Ndaj Ekuadorit në Brasilia luajtëm në një klimë shumë të ndryshme, por ndaj Hondurasit në Manaus ndryshon gjithçka sepse kushtet bëhen më ekstreme. Kjo është si një finale për ne”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/