Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, foli për humbjen ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Tekniku i skuadrës durrsake deklaroi: “Na vjen keq që humbëm, nuk e meritonim. Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejtë. Ti japim meritat që i takon ekipit. Kartoni i kuq duket i lehtë. Është vendim, interpretim. Doja të luanim 11 me 11 deri në fund. Ndjej pishman që këtë ndeshje e humbëm me një episod. Deri në momentin e golit ishim perfekt. Duhet të kishim realizuar edhe ato situatat që i kemi punuar. Ta ndikonim Vllazninë me topat pas shpine, e dimë që ky është një nga problemet e tyre.
Çunat punojnë jashtëzakonisht. Mundohen, është eksperienca, që po fitojnë dhe ndoshta do i kthehet. Ky sezon ishte tranzicioni për ne. Donim të bënim të pamundurën dhe të befasonim dhe të luftonim për katërshen. Tani duhet të qetësohemi që të punojmë për sezonin e ardhshëm. Në këto moment shumica e lojtarëve kanë mundësinë të tregojnë veten për të qenë pjesë e Teutës për sezonin e ardhshëm. Vllaznia ishte inekzistente deri sa pësuam golin, po luante me topa të gjatë. Një lojtar i mirë nuk markohet, ishin marrë masa për këtë punë, ishte Maçolli që duhet të angazhohej më shumë. Golin e merr në qendër, atje është problemi. Do mundohemi t’i fitojmë ndeshjet, për këtë luhet futbolli.
Nga ana fizike 10 kundër 11 i bëjmë presing Vllaznisë. Hajde të tregojmë GPS, analizojeni mirë ndeshjen, deri në momentin e golit Vllaznia nuk na ka shqetësuar. Vetëm me topa të gjatë. Ore shikoni ndeshjen, kemi ardhur në Shkodër kemi luajtur futboll. U ndëshkuam nga një rikoshet. Nuk jam dakord që nga ana fizike ramë. Po të ishte ashtu do na mbyste Vllaznia. Të ardhmen do ta bisedoj me drejtuesit. Do flasim, do të shikojmë, për objektivat që do kemi për sezonin që vjen. Do përgatitemi që mos bëjmë gabimet që kemi bërë. Ky ishte tranzicion nga gjithë ekipi.
Në përgjithësi jemi të kënaqur, nuk jemi në krizë loje, është vetëm kriza e rezultateve për Teutën. Nuk na dominon njeri. Këtu duhet të jemi të qartë, bëjmë gabime individuale, nuk jemi efikasës. Nuk jam nervoz. Unë argumentova, nuk thashë nuk më pëlqen kjo që thoni ju. Nuk e pranoj të thuhet që ekipi i Teutës ra nga ana fizike. Nervoziteti është që humbja ndeshjen. Unë mbroj punën e djemve në fushë. Në qoftë se nuk interpretohet siç duhet, flasim kot. Kallaku u fut në lojë pas golit, na futi në vështirësi me gabimet tona individuale. Shikojini mirë. Jam për të mirën e futbollit shqiptar dhe për Teutën”, deklaroi Dobi.





