Një zjarr që shpërtheu në një stacion policor në Venezuelë, pas një trazire ku përfshiheshin të burgosurit ka lënë të paktën 68 persona të vdekur.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, zjarri shpërtheu pasi të burgosurit i vunë zjarrin dyshekëve në një përpjekje për t’u çliruar nga trupa e policisë Carabobo në Valencia, një qytet rreth 100 kilometra në perëndim të Caracas.

Policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur jashtë stacionit të policisë pas zjarrit, pasi të afërmit e dëshpëruar u përpoqën të zbulonin se çfarë kishte ndodhur me njerëzit e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës, Tarek William Saab, tha se 68 viktimat, pothuajse të gjithë prej tyre ishin të burgosur. Ai tha se në mesin e të vdekurve janë edhe dy gra të cilat qëndronin natën në stacion.