TIRANË, 18 dhjetor 2013 – Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në orët e para të ditës së mërkurë në një lokal pranë Shkollës së Baletit në kryeqytet. Fatmirësisht si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur persona të lënduar, vetëm dëme materiale. Disa muaj më parë, kur ky lokal ishte duke u ndërtuar, ndërkohë brenda ambienteve të tij është plagosur shtetasi Fatjon Dauti, pronar i lokalit. 
Eksplozivi ishte vendosur në pjesën anësore të lokalit, mes tij dhe hyrjes së një pallati. Nga shpërthimi është dëmtuar fasada anësore e lokalit, ndërsa është dëmtuar edhe një automjet, i cili ishte parkuar aty pranë. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.