Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmjen e së enjtes kryeqytetin grek. Ngjarja ndodhi pak pas orës 21:30, pranë zyrave të kompanisë “Hellenic Train” në bulevardin Syggrou, Athinë.

Sipas mediave greke, shpërthimi u shkaktua nga një bombë e fshehur në një çantë shpine, ndërsa pak para ngjarjes, në orën 20:53, një person i panjohur kishte telefonuar portalin Zougla dhe “Gazetën e Redaktorëve”, duke dhënë një paralajmërim me afat kohor prej 35-40 minutash. Ai kishte theksuar se “nuk bëhet fjalë për një farsë”.

Sipas informacioneve paraprake, i panjohuri që telefonoi në orën 20:53 tek portali “Zougla” dhe “Gazeta e Redaktorëve” paralajmëroi se një bombë do të shpërthente pas 35 deri në 40 minutash, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për ndonjë farsë. Forcat e policisë greke mbërritën menjëherë në vendngjarje, por nuk patën kohë të kryenin një shpërthim të kontrolluar.

Bomba ishte vendosur në një çantë të dyshimtë shpine, e cila ishte e mbyllur me dryn dhe ndodhej mbi motoçikletën e parkuar pranë ndërtesës së “Hellenic Train”. Forca e shpërthimit ka qenë aq e madhe, sa është dëgjuar deri në sheshin Sintagma, ku po zhvillohej një protestë e pensionistëve.

Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, ndërsa zona është rrethuar plotësisht nga forcat e rendit dhe mbetet e bllokuar deri në përfundimin e hetimeve. Në vendngjarje kanë shkuar gjashtë zjarrfikës me dy automjete, ndërkohë që specialistët kanë grumbulluar mbetjet nga shpërthimi për t’i analizuar në laboratorët e mjekësisë ligjore.

Autoritetet po hetojnë nëse kemi të bëjmë me një rast të përsëritur, pasi mënyra e vendosjes së bombës është thuajse identike me një sulm të ndodhur një vit e gjysmë më parë ndaj Ministrisë së Punës në Greqi, ku sërish një çantë shpine me dryn ishte përdorur për të fshehur mekanizmin shpërthyes.

Ngjarja ka ndodhur vetëm disa orë pas një konference të mbajtur nga komisioni i prindërve të viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur në Tempi dy vite më parë, ku humbën jetën 57 persona – shumica të rinj – pas përplasjes së dy trenave. Kompania “Hellenic Train” ndodhet në qendër të hetimeve për këtë aksident dhe kritikat ndaj saj janë të vazhdueshme, sidomos nga partitë opozitare që akuzojnë qeverinë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për mbulimin e fajtorëve.

Në konferencën për shtyp, specialistë nga fusha të ndryshme që punojnë vullnetarisht për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, kundërshtuan një raport të komisionit të ngritur nga qeveria. Ata sollën argumente të detajuara mbi shkeljet në sistemin hekurudhor dhe përgjegjësitë institucionale, duke rritur më tej tensionin publik.

Hetimet për shpërthimin vijojnë, ndërsa autoritetet greke nuk përjashtojnë mundësinë e një akti të lidhur me ngjarjet e mëparshme, në sfondin e një tensioni të vazhdueshëm publik për tragjedinë në Tempi dhe mosbesimin ndaj institucioneve.