Greqi, 10 prill 2014 – Një autobombë ka shpërthyer gjatë orëve të para të mëngjesit në qendër të Athinës. Sipas informacioneve të para, autobomba shpërtheu jashtë Bankës së Greqisë, në kryqëzimin e rrugës Pamepistimiu dhe Stadhiu. Makina ishte parkuar jo larg zyrave të Trojkës Europiane.
Në makinën e vjedhur, në të cilën ishte vendosur një sasi prej 75 kilogramë eksploziv shpërtheu në rrugën “Amerika”, duke shkaktuar dëmë të mëdha materiale, ku u dëmtuan disa ndërtesa, por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz.
Shpërthimi u regjistrua rreth orës 03.00 me orën lokale (02 sipas orës sonë). Ai u dëgjua në një pjesë të madhe të kryeqytetit grek.
Sipas mediave greke, makina që shpërtheu ishte e vjedhur që prej datës 5 prill të këtij viti dhe u shkatërrua plotësisht nga shpërthimi. Në vendngjarje, veç forcave të rendit, mbërritën dhe zyrtarë të Agjencisë Kundër Terrorizmit.
Shpërthimi që deri tani nuk është marrë përsipër nga asnjë grup regjistrohet vetëm një ditë para vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Athinë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





