Një shpërthim me tritol ka ndodhur pak pas mesnate në Memaliaj, ku ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse në oborrin e një banese.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Toç, në banesën në pronësi të një 67-vjeçari. Për fat të mirë nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale.

Pas ngjarjes, autorët kanë djegur makinën me të cilin lëviznin dhe janë larguar në këmbë. Policia dhe grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Memaliaj/Informacion paraprak

Më datë 06.04.2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, në fshatin Toç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Autori/autorët, gjatë largimit, në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj”, në afërsi të fshatit Qesarat, dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet hetimore për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.