Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një bllok banesash 3-katëshe në Hagë të Holandës. Shpërthimi shkaktoi shembjen e disa shtëpive në zonën Tarwekamp rreth orës lokale 06:15.
Ekipet e shpëtimit janë në kërkim të rreth 20 personave që mendohet se kanë qenë aty në momentin e shpërthimit. Ndërsa 4 të tjerë raportohet se janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë dërguar në spital.
Banorët e lagjes thanë se dëgjuan një zhurmë të madhe dhe më pas britma. Një grua u shpreh për mediat lokale se mendoi se kishte rënë tërmet.
Shkaku i shpërthimit nuk dihet ende. Por mediat holandeze thonë se policia është vendosur në kërkim të një automjeti, i cili u largua me shpejtësi pak çaste pas incidentit.
Në vendngjarje ka shkuar një ekip i specializuar kërkimi dhe shpëtimi, përfshirë 4 qen të trajnuar për të gjetur viktima. Ekipi është përdorur më parë gjatë tërmetit shkatërrues në Turqi në 2023.