Mbi 25 persona kanë mbetur të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, si pasojë e një shpërthimi të një kontejneri me municione në qytetin Karabuli në Libi.

Ngjarja vjen si vazhdim i përplasjeve të armatosura mes milicive në Misurata, mbështetës të qeverisë në Serraj dhe banorëve të Karabulit.

Thuhet se dhuna ka nisur në momentin kur një prej luftëtarëve të Misuratës ka sulmuar një tregtar të zonës, i cili më pas ka reaguar duke i shkaktuar vdekjen e luftëtarit.

Brigada së cilës i përkiste viktima, më pas ka sulmuar banesën e tregtarit, që arriti të arratiset, duke i vënë flakën. Veprimi i tij është pasuar me rebelimin dhe zemërimin e banorëve të zonës dhe milicinë lokale të cilët kanë sulmuar bazat e luftëtarëve në Misurata. 

Megjithatë shkaku i vërtetë nuk dihet ende me siguri. Sipas medieve, të gjitha viktimat besohet se janë luftëtarë lokalë.