DURRES, 23 shkurt 2013– Një market në lagjen nr.13 të Durrësit është dëmtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse. Sipas policisë së Durrësit, marketi në pronësi të shtetasit Oltion Cara ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale, pasi i është dëmtuar qepeni dhe i janë thyer xhamat për shkak të shpërthimit.

Ka qenë ora 04.40, kur banorët e sektorit Hekurudha janë tronditur nga shpërthimi i fuqishëm, që ka pasur për objektiv një market të vogël në këtë zonë. Policia që ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka rrethuar menjëherë vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ka mbledhur provat e gjetura aty. Grupi hetimor po punon për të zbardhur autorët e këtij akti dhe motivet që i shtynë të ndërmerrnin një veprim të tillë.

Pronari i subjektit tregtar ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni se kush mund të jenë autorët e vënies së eksplozivit, pasi nuk ka konflikt me asnjë. Cara deklaron për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah” se është lajmëruar nga banorët e pallatit, në katin e parë të të cilit është marketi për shpërthimin dhe ka mbërritur menjëherë aty. Pronari i subjektit tregtar tha se i takon policisë të zbardhë autorët e kësaj ngjarjeje, pasi ai nuk mund të vërë gishtin mbi asnjërin.  

Grupi hetimor po heton disa pista, ndër të cilat edhe ajo e konkurencës. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/