SIRI– Një shpërthim shkatërroi një pjesë të universitetit të Alepos, në Sirinë e veriut, duke vrarë të paktën 15 persona ditën e martë.
Në raportimin e ngjarjes, Televisioni Shtetëror Sirian fajësoi si gjithmonë “elementët terroristë” që po destabilizojnë vendin.
Kryengritësit, nga ana e tyre, nuk janë ende në gjendje të përcaktojnë se cila ishte arsyeja e këtij shpërthimi.
Kryeqendra e veriut të Sirisë dhe shtëpi e dy milionë banorëve, Alepo është përfshirë prej muajsh në beteja të përgjakshme midis ushtrisë dhe rebelëve.
Shumë prej betejave janë përqendruar në zonat urbane, duke bërë që Alepo të konsiderohet si një “qytet fantazëm” prej shkatërrimeve, nga ana e korrespondentëve të mediave ndërkombëtare.
Gjatë javës së fundit, në të njëjtin qytet, kryengritësit realizuan një ofensivë, të cilës forcat e presidentit Bashar al-Assad iu përgjigjën me bombardime me artileri të rëndë dhe raketa të telekomanduara tokë-tokë.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 60 mijë sirianë kanë humbur jetën në luftën civile të nisur në mars 2011, ndërsa konflikti po bëhet gjithmonë e më i përgjakshëm për shkak të rritjes së kapaciteteve ushtarake nga ana e palëve ndërluftuese.