Një sasi lëndë plasëse ka shëprthyer në sheshpushimin e brendshëm në katin e katërt të një pallati pesëkatësh, pranë banesë së kryetarit të bashkisë së Matit, Nezir Rizvani.

Zyrtarisht Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:40 në lagjen “Drita”, ndërsa nuk ka asnjë person të lënduar pasi në momentin e ngjarjes nuk ka pasur njerëz në banesa.

neziri-1

Njoftimi paraprak i policisë:

Rreth orës 00.40, Policia e Komisariatit  Mat, ka marrë njoftim se në lagjen "Drita", Burrel, në sheshpushimin e brendshëm të një pallati është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse.

Menjëherë në vendngjarje  kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ku nga verifikimet paraprake rezultoi se:

Në lagjen "Drita", Burrel, në sheshpushimin e brendshëm në katin e katërt të një pallati pesë katësh, midis dy hyrjeve, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.

Lënda plasëse ishte vendosur në shesh pushim me një distancë 160 cm larg derës së banesës të shtetasit M.B, rreth 55 vjeç, dhe 2 metra larg derës së banesës të shtetasit N.R, 53 vjeç, Kryetar i Bashkisë Mat.

Në të dy banesat e shtetasve M.B, dhe N.R, nuk ka patur asnjë njeri në banesë.

Si pasojë e shpërthimit  janë dëmtuar pjesërisht dy dyert e banesave të shtetasve të lartpërmendur.

Dyshohet se sasia e lëndës plasëse të ketë qenë rreth 50 deri në 100 gramë.

Grupi hetimor vijon hetimet në vendin e ngjarjes, si dhe po punohet në mënyrë intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.