Agjencia e lajmeve Reuters raporton se shpërthime të shumta po dëgjohen mëngjesin e së shtunës në qytetin Donetsk të kontrolluar nga separatistët.

Origjina e shpërthimit në veri të qytetit nuk është akoma e qartë.

Nuk ka pasur asnjë koment nga qeveria e mbështetur nga Moska në Republikën Popullore të Donetsk (DNR), raporton Reuters.

Liderët e separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës kanë urdhëruar mobilizimin e plotë ushtarak, teksa është rritur frika për pushtimin e Ukrainës.

Denis Pushilin dhe Leonid Pasechnik, liderët e rajoneve të okupuara të Donetskut dhe Luhanskut, kanë lëshuar deklarata të ndara më 19 shkurt, përmes së cilave kanë njoftuar për mobilizimin e plotë të trupave dhe u kanë bërë thirrje rezervistëve që të shkojnë në zyrat ushtarake dhe të deklarohen se janë të gatshëm.

Kjo lëvizje vjen në kohën e rritjes së dhunës në ditët e fundit përgjatë linjës së kontaktit ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve në rajon, gjë që ka rritur frikën në Perëndim se Moska mund ta përdorë këtë dhunë si pretekst për ta sulmuar Ukrainën.

Kanë qenë pothuajse 600 shkelje të armëpushimit në lindje të Ukrainës në 24 orët e fundit, përfshirë 300 shpërthime, tha ekipi monitorues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më 18 shkurt, shkruan REL.

Më 18 shkurt, separatistët nisën të evakuojnë banorët për një juglindje të Rusisë. Liderët rebelë thanë se gratë, fëmijët dhe të moshuarit do të jenë të parët që do të largohen për në Rusi, që kanë thënë se është pajtuar që të strehojë këta persona.