DURRËS, 13 nëntor 2014 – Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, më 13 nëntor 2014, reagoi ndaj shpërthimeve me lëndë plasëse në zonën e Fushë-Krujës, duke deklaruar se policia po heton me kujdes të gjitha rastet për të vënë para përgjegjësisë autorët.
Ministri Tahiri iu përgjigj gazetarëve pas raportimit në Komisionin e Ligjeve në lidhje me shpërthimet me tritol.
Ai, garantoi se çdo ngjarje do të hetohet dhe nuk do të ndodhë ajo që ndodhi vitin e kaluar.
“Çdo ngjarje kriminale do të hetohet, nuk do të ndodhë ajo që ndodhi vjet”, tha Tahiri.
Ministri dha garancinë se situata e vitit të kaluar, ku kishte thuajse çdo ditë shpërthime me lëndë plasëse, nuk do të përsëritet.
Sikurse njoftoi dhe “Dyrrah”-u, blutë e Durrësit dhe të Krujës kanë shoqëruar në paraditen e 13 nëntorit 10 të dyshuar.
Bëhet fjalë për dy shpërthimet e ndodhura, në harkun e 9 orëve, në Fushë-Krujë, në orën 21:55, më 12 nëntor 2014, te zyra e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) dhe në Tapizë të Niklës, rreth orës 06:50 të mëngjesit të 13 nëntorit 2014, në derën kryesore të biznesit.
/th. m. agjencia e lajmeve Dyrrah”/





