Shteti Islamik (IS) e ka marrë përgjegjësinë për dy shpërthimet në Iran, ku u vranë së paku 84 njerëz gjatë shënimit të përvjetorit të një ish-komandanti iranian, i cili ishte vrarë para katër vjetëve nga një sulm ajror amerikan.

Në një komunikatë në Telegram të enjten, grupi militant tha se dy prej anëtarëve të tij “i aktivizuan jelekët e mbushur me eksplozivë” në tubimin ku po shënohej përvjetori i vrasjes së Qasem Soleimanit, ish-komandantit të forcës elitare, Quds, të mërkurën në qytetin Kerman.

Shpërthimet e së mërkurës kanë nxitur frikën se mund të zgjerohet konflikti në rajon, pasi Izraeli po e vazhdon luftën kundër grupit të cilësuar organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, Hamas, në Rripin e Gazës, dhe grupi rebel Huthi nga Jemeni, i cili është i lidhur me Iranin, po i vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.