Tiranë, 14 qershor 2014 – Pas Jonida Maliqit, shtohet lista me këngëtarë të cilët janë të revoltuar nga të ashtuquajtur fansa, të cilët ndërhyjnë në jetën e tyre private. Me një mesazh të gjatë, këngëtarja Aurela Gaçe i ka vendosur kufirin çdo personi. Sipas saj, askush nuk ka të drejtë që të helmojë, ndaj duhet të ndryshojnë destinacion. Të gjithë mllefin që ka akumuluar me kohë, Aurela e ka shfryrë në Instagram, ndërsa ka pasur edhe mbështetjen e njerëzve të saj të dashur.
“Një përshëndetje me klas për të gjithë ata që hyjnë në accounte të të tjerëve, vetëm për t’u dërguar atyre energji negative. Boll e kemi jetën të rrëmbyeshme e nuk marrim frymë duke u munduar për më të mirën. Ju të vegjël e dritëshkurtër, jetojeni ditën tuaj pa u munduar t’ia prishni dikujt tjetër, se jeta është kaq e vyer, e nuk lejoj askënd të më helmojë. Dua të shoh vetëm diell. Nëse ti vemje do të shohësh errësirë, largohu vetë nga këtu e hap dritaren e mendjes, mbase të hyn pak rrezja e diellit. Jo për gjë, po të ngroh e të ndriçon edhe fytyrën. E s’ke nevojë as për photoshop pastaj”,- shkruan Aurela.





