Policia ka arrestuar një 28-vjeçar që dyshohet se është autori kryesor i vendosjes së eksplozivit që shpërtheu dje te gomat e një autobusi funerali në Tiranë.

Policia bën të ditur se Erion Duçka, 28 vjeç, banues në Tiranë, gjatë arrestimit ka kundërshtuar me dhunë edhe uniformat blu.

Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi rreth orës 03:40 të datës 25.08.2016 në rrugën “Gjolek Kokona”, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës së përgjithshme gjatë kryerjes së detyrës.

Nga veprimet hetimore të kryera ky shtetas është i dyshuar i ngjarjes së shkatërrimit të pronës me eksploziv ndodhur më datë 25.08.2016 në rrugën “Arben Minga”, ku i është vendosur lëndë plasëse autobusit me targë AA 940 CG në pronësi të shtetasit K.R.”, informon policia.

Sipas bluve, dyshohet se menjëherë pas kryerjes së ngjarjes, Erion Duçka është larguar me një biçikletë dhe është ndaluar nga punonjësit e patrullës të cilët i ka kundërshtuar me dhunë në tentativë për t’u larguar.