Dy të vdekur dhe 15 të plagosur është bilanci i një incidenti të rëndë të ndodhur pasditen e sotme rreth orës 14:30 pranë Borgo Quinzio në Rieti, në rrugën Salaria.

Një çisternë e mbushur me lëndë të djegshme ka shpërthyer brenda stacionit të shërbimit duke shkaktuar një zjarr masiv. Mësohet se mes të plagosurve janë dhe punonjës të ndihmës së shpejtë si dhe 7 zjarrfikës, ndërsa një prej viktimave raportohet se është zjarrfikës.

Shpërthimi dyshohet se ka ndodhur gjatë operacioneve të shkarkimit të karburantit. Shpërthimi ndodhi në depozitën e dytë të zonës së shërbimit ku zjarrfikësit ishin duke punuar për të shuar flakët e shpërthimit të depozitës së parë. Forcat e rendit kanë bllokuar rrugën në të dyja drejtimet dhe në vend përveç disa skuadra të zjarrfikësve, kanë ndërhyrë edhe forcat e 118-ës.