Ndërrimi i viteve në Prizren është shoqëruar me hedhjen e pakontrolluar të lëndëve piroteknike nga qytetarët.

Për pasojë ka ndodhur një shpërthim i zjarrit nga ndezja e një pike shitje të mjeteve piroteknike në trotuar dhe si pasojë është përhapur zjarri edhe në lokalet dhe ndërtesat për rreth.

Nga ky shpërthim dy qytetarë janë plagosur, njëri në gjendje të rëndë është dërguar në QKUK në Prishtinë, teksa tjetri është duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit.

Gjithashtu janë shkaktuar dëme në objektet dhe automjete e parkuara në afërsi, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

6 banesa dhe makina janë dëmtuar nga shpërthimi, i cili deri tani konsiderohet aksidental.

Të gjithë njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë më zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Nga shpërthimi i fishekzjarrëve në sheshin “Shatërvan” në mënyrë të pakontrolluar janë lënduar edhe tetë qytetarë  të tjerë që janë dërguar në urgjencë për trajtim. Tre prej tyre me lëndime në regjionin e syrit, ndërsa të tjerët kryesisht janë në ekstremitete të lënduar të kokës dhe fytyrës.

Ndërkohë Viti i Ri ka nisur me lëkundje tërmeti në Prizren në 3.2 ballë Rihter që është ndjerë edhe në Kukës.