Banorët e sektorit “Iliria” në plazhin e Durrësit, kanë protestuar gjatë ditës së sotme si rezultat i shpërthimit të ujërave të zeza në lagjen e tyre. Sistemi i kanalizimeve nuk funksionon, e gjithë lagjja është nën pushtetin e ujërave të ndotura dhe nën pushtetin e përhapjes së sëmundjeve infektive, deklaruan banorët të cilët u bënë apel organeve kompetente. Kudo nëpër lagje, në ambiente të përbashkëta, garazhe dhe oborre, ujërat e zeza janë prezente, duke shkaktuar përhapjen e një ere të rëndë në të gjithë lagjen. Sipas banorëve, pallatet e reja që janë bërë, nuk kanë respektuar asnjë rregull urbanistik dhe kanë bllokuar edhe sistemin e kanalizimeve për ndërtesat e tjera.

Kërkesat e banorëve:

“Kanë shpërthyer ujërat e nuk rrihet në lagje. Rrezikohemi nga epidemitë, askush nuk merr masa pavarësisht se jemi ankuar te Komunalja e plazhit. Të merren masa”, deklaroi një banore.

“Mirë që nuk na dëgjojnë, por edhe ujë të pijshëm nuk po kemi, po marrim ujë nga pusi. Tani edhe uji i pusit është ndotur sepse ka gropa septike. Gropat septike nuk pastrohen. Është si në Kandahar, për shkak të ndërtimeve të reja që janë bërë”, thotë një tjetër banore.

“Të vënë dorë se jemi sorollatur sa në një krah në tjetrin, e nuk po gjejmë derman as te Komunalja, as në bashki e as te Ndërmarrja e Kanalizimeve. Do pëlcasë epidemia e verdhëzës a ndonjë tjetër, dhe atëherë do të marrin vesh ku e në çfarë derexheje e kanë lënë popullin, sepse pallatet e reja nuk respektojnë asnjë gjë”, u shpreh një tjetër banor.

K.H.