“The Guardian” ka publikuar pamjet e shpërthimit të vullkanit Krakatau që shkaktoi cunamin vdekjeprurës në Indonezi.

Një shpërthim i vullkanit një ditë para cunamit u filmua nga kamerat e një ekipi të Agjencisë së Ruajtjes së Burimeve Natyrore në Indonezi.

Krakatau ndodhet në ngushticën midis Java dhe Sumatra, që lidhin Oqeanin Indian dhe Detin Java. Autoritetet thanë se cunami i së dielës në Indonezi ishte shkaktuar nga rëshqitjet e dherave në det të shkaktuara nga shpërthimi i vullkanit, dhe jo nga ndonjë tërmet.

Dallgët gjigande vranë të paktën 281 persona e plagosën 1,016 të tjerë. Mendohet se ishte pikërisht aktiviteti vullkanik shkaktari i fatkeqësisë, pas së cilës Anak Krakatau pati edhe një tjetër shpërthim, çka ngjall frikën e një përsëritjeje te skenarit apokaliptik.

Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga rrugët e bllokuara megjithatë në zonat më të goditura janë dërguar pajisje të rënda për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve.

Rekomandimet e agjensisë kombëtare të menaxhimit të fatkeqësive natyrore janë që njerëzit t’i qëndrojnë larg brigjeve për ca kohe, sepse vazhdimësia e aktivitetit vullkanik të Anak Krakatau shton gjasat për një tjetër cunami.