29 tetor 2015 – Policia ka hedhur dritë mbi hetimet që po kryhen për shpërthimin me lëndë eksplozive që ndodhi në orët e para të mëngjesit në lagjjen numër 17 në Durrës.
Një ndër pistat e hetimit ku po mbështetet policia, është ajo e borxheve që vëllezërit Rrepci u kanë disa personave. Nga marrja në pyetje e ndërtuesve të pallatit në lagjjen 17, rezulton se toka është blerë nga Meti Rrepci, ish-drejtor i URT-së (vëllai i Kujtimit). Pallati gjendet mbi truallin e ish-godinës së Uzinës së Radiotelevizionit, por një pjesë e dyqaneve dhe apartamenteve në këtë pallat janë nën sekuestro bankare për shkak se nuk është paguar kredia në bankë.
Sipas policisë së Durrësit, dyqani ku ndodhi shpërthimi që i përket një prej vëllezërve, 62-vjeçarit Kujtim Rrepci, nuk ka qenë në funksion prej kohësh. Dikur ky ambient ka funksionuar si bilardo dhe lokal, por mospagesa e kësteve të kredisë në një bankë të nivelit të dytë, ka bërë që disa dyqane dhe apartamente në këtë pallat të sekuestrohen nga banka, pohuan burimet policore. Po kështu edhe dyqani ku ndodhi shpërthimi ka qenë nën sekuestro prej kohësh.
Duke u nisur nga dinamika e ngjarjes, efektivët e policisë dyshojnë se shpërthimi ka qenë një paralajmërim për vëllezërit Rrepci, në lidhje me borxhet që u kanë personave të tretë. Ndërkohë, nga ana e tyre ata kanë deklaruar se nuk kanë dijeni se kush mund të qëndrojë prapa kësaj historie.
/K.H. portali DurresLajm/