Policia e Krujës zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Nikël ku shpërtheu një sasi lënde eksplozive. Në lidhje me ngjarjen vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë. Njërit prej autorëve të dyshuar i është gjetur në banesë dhe sekuestruar Cannabis Sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatin e Policisë Krujë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, pas një pune hetimore të specializuar, në pak orë kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Nikël, ku shpërtheu një sasi lënde eksplozive në mobilerinë e shtetasit E.C., ku për pasojë u shkaktuan dëme materiale (dëmtuar vetrata) .

Janë vënë në pranga dy shtetas të dyshuar për kryerjen e veprave penale 

"Shkatërrimi i pronës me eksploziv" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit "parashikuar në nenet 152 dhe 278 të Kodit Penal, konkretisht:

• Është ndaluar me iniciativë shtetasi D.Xh. si autor i dyshuar;

• Është arrestuar në flagrancë shtetasi B.K. 

Shtetasit B.K. gjatë kontrollit të ushtruar në banesë i' u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy shtetasve të tjerë, të dyshuar të përfshirë në ngjarjen e mësipërme ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet.

Në vijim të kontrolleve  të ushtruara nga shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Krujë është kapur edhe një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar, konkretisht shtetasi Xh.K, pasi  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprën penale " Kultivimi i bimëve narkotike " parashikuar nga neni 284/1 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.