12 nëntor 2015 – Shpërthimet me lëndë eksplozive C4 janë rikthyer sërish në Fushë- Krujë, në fshatin Arameras, duke tronditur banorët e zonës. Mbi 50 gramë C4 janë përdorur për shpërthimin pranë një pike karburanti mbrëmjen e së martës. Mësohet se nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale të objektit si dhe të disa automjeteve që ndodheshin aty pranë. Biznesi është në pronësi të Zydi Celës, 31 vjeç me detyrë punonjës i OSHEE-së. Të njëjtat burime saktësojnë se ky është sulmi i dytë brenda tri javësh që i bëhet 31-vjeçarit. 16 persona u shoqëruan në komisariatin e policisë së Krujës për verifikim, por deri tani nuk ka asnjë të dyshuar.

Policia

Nga provat e mbledhura në vendin e ngjarjes rezulton se autori ende i paidentifikuar ka hedhur nga 50 deri në 100 gram c4 në lëvizje e sipër. Më pas është larguar në këmbë, sepse në vendin e shpërthimit nuk janë gjetur gjurmë gomash makine. Nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se edhe në këtë ngjarje autori ka qenë në këmbë, nuk ka pasur makinë, dhe ka qënë në lëvizje e sipër. Policia shoqëroi pothuajse të gjithë djemtë e zonës që janë me precedentë penalë dhe i mori në pyetje për ngjarjen, duke i pyetur për vendndodhjen e tyre në atë orar. Por pas marrjes së dëshmisë, të gjithë u lanë të lirë. Policia mori në ndihmë edhe qentë antieksplozivë, por autori ishte kujdesur që të mos linte gjurmë të vlefshme në vendngjarje.

Hetimet

Nga marrja në pyetje e 31-vjeçarit nuk është mësuar asgjë që mund t’u shërbejë oficerëve të krimeve për identifikimin e autorit.

“Nuk kemi konflikte më asnjë njëri, nuk e dimë nga erdhi. Unë punoj por nuk është se bëjmë konflikte me banorët. Ndoshta mund të jetë dikush që mund t’i kemi prerë dritat”, ka deklaruar ai.

Oficerët e krimeve të Durrësit janë duke punuar për hetimin e dy shpërthimeve, por pak gjasa ka që të bëhet identifikimi i autorit për shkak se errësira e ka favorizuar, duke lënë në vendngjarje vetëm dëmet nga shpëtimi, dhe gjurmë C4-re. 

Prej pranverës së këtij viti, Fushë-Kruja kishte rënë në qetësi nga shpërthimet e njëpasnjëshme.

/K.H. portali DurresLajm/