Policia e Durrësit ka reaguar lidhur me shpërthimin e ndodhur pasditen e sotme në repartin ushtarak në Porto Romano të Durrësit.

Përmes një njoftimi për shtyp bëhet e ditur se nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur dy rojet Emirjan Kolndreu 37 vjeç, banues në Tiranë dhe Vullnet Shehaj 46 vjeç, banues në Durrës.

Ata janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit ku pasi kanë marrë ndihmën e parë, raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se rojet kanë qenë duke korrur barin brenda territorit të Repartit Ushtarak dhe më pas i kanë vënë zjarrin për të djegur sasinë e barit të korrur.

Në djegie e sipër të barit të korrur ka ndodhur një shpërthim i cili ende sipas hetimeve, nuk dihet se për çfarë ka shpërthyer, dhe për pasojë janë dëmtuar shtetasit e lartpërmendur.

Policia sqaron se meqenëse ngjarja ka ndodhur brenda territorit të Repartit Ushtarak njoftojmë se veprimet e mëtejshme do të kryhen nga grupi hetimor i Ministrisë së Mbrojtjes.